Vullnetarizmi në Shqipëri, një “Viktimë” e sistemeve Qeverisëse.

sr16
Vullnetarizmi: “Punë komuniste, pa shpërblim, vullnetarisht e realizuar nga masa e gjerë e punëtorëve dhe të rinjëve në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë” – Fjalori Enciklopedik Shqiptar.

Pikërisht ky ka qënë përkufizimi zyrtar për punën vullnetare gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Fatkeqësisht deformimi i konceptit të vullnetarizmit nga regjimi i kaluar, vazhdon të jetë prezent edhe në ditët e sotme, edhe pse kanë kaluar gati 25 vjet nga përmbysja e sistemit. Edhe pse kanë kaluar shume vite dhe shoqëria civile gjatë kësaj periudhe është zhvilluar, sërisht kur flitet për punë vullnetare apo për vullnetarizëm, lidhja me sistemin komunist është e pashmangshme dhe shumë shpesh e paragjykuar si një kthim në komunizëm. Kjo për faktin se gjatë regjimit komunist puna e detyruar vullnetare ka qënë një element për të shfrytëzuar masën e gjerë dhe nga ana tjetër, gjatë këtyre dy dekadave të fundit, promovimi i vlerave të vërteta të vullnetarizmit dhe i nismave vullnetare ka qënë shume i vakët dhe thyerja e tabusë së vullnetarizmit komunist nuk ka ndodhur.

Por në vitin 2013, një grup të rinjsh, nisur nga nevoja për ndryshimin e situatës mjedisore problematike në vend, nevoja për aktivizimin e rinisë, nevoja për kontribut në komunitet, ndërmori një nisëm mjaft të guximshme, gati gati utopike për mentalitetin e shoqërisë shqiptare. Ta Pastrojmë Shqipërinë në Një Ditë ishte utopike, të synoje të përfshije 100.000 vullnetarë në një ditë në një aksion vullnetar pastrimi, po ashtu. Paragjykimet ishin të shumta, habia, skepticizmi që tregonin të gjithë sa të demoralizonte po aq edhe të motivonte, të çmendur?! Shumë herë na ka etiketuar si të tillë, pikërisht prej konceptit që të gjithë kishin për vullnetarizmin. Por pas një fushate të gjerë sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese mbarëkombetare, ku armata e “Green Bus Tour” prej 40 vullnetarësh, arriti të përçonte derë më derë zërin e Lëvizjes Civile “Ta Pastrojmë Shqipërinë” dhe thirrjen për aksion.

Dhe IA DOLËM, më 22 Nëntor 2013, mbi 147.000 vullnetar (5% e popullësisë) iu bashkuan aksionit kombëtar për pastrimin e Shqipërisë nga mbeturinat ilegale, plot 15.000 ton mbeturina u mblodhën gjatë 5 orëve të aksionit. Aksioni u shoqërua me një vëmendje të madhe mediatike kombëtare dhe ndërkombëtare. Lëvizja arriti të krijojë një gjithëpërfshirje të madhe të popullatës, shoqërisë civile, komunitetit fetar, pushtetit qëndror e vendor, organizatave ndërkombëtare, trupit diplomatik, komunitetit të biznesit, medias, etj.

Përfshirja e 5 % e popullsisë bëri që Lëvizja Ta Pastrojmë Shqipërinë, të renditej në vendin   e 3 të Lëvizjes Botërore “Let’s Do It World”. 5% quhet ndryshe “Critical Mass” – Masa Kritike, pika ku fillon të ndikosh në ndryshim, dhe ndryshimi ka filluar, vullnetarizmi tashmë ka ndryshuar, vëmendja ndaj çështjeve të mjedisit është rritur ndjeshëm, situata mjedisore ka filluar të ndryshojë, tashmë kemi vullnetarizëm. Në 18 muaj kemi realizuar katër aksione kombëtare pastrimi dhe katër fushata kombëtare sensibilizuese, me mijra takime nëpër shkolla, gjimnaze e universitete, kemi mobilizuar mbi 350.000 vullnetar dhe kemi mbledhur mbi 30.000 ton mbeturina, duke dhënë një kontribut të vyer në komunitet dhe për Shqipërinë.

Pyetja që të vjen natyrshëm është, cila është vlera e gjithë kësaj pune vullnetare, sa ka përfituar shoqëria dhe shteti Shqiptar?! Përgjigjja që do ju japim është e vlefshme për Estoninë, iniciatoren e Lëvizjes Botërore “Let’s Do It World”, më 3 Maj 2008, gjatë aksionit të zhvilluar në Estoni, morën pjesë 50.000 vullnetarë të cilët në 5 orë aksion, mblodhën 10.000 ton mbeturina. Sipas Ministrisë së Mjedisit dhe Ministrisë së Rinisë të Estonisë, nëse vet shteti do e kryente këtë volum pune, do ti duheshin 3 vjet kohë dhe plot 22.5 milion Euro nga buxheti i shtetit. Impakt i jashtëzakonshëm!

Fatkeqësisht në Shqipëri nuk ka një vlersim të till, nuk ka sepse mungon vëmendja e duhur e institucioneve shtetërore dhe sepse nuk ekziston një vlerësim real i punës së vullnetarit. Mungon ligji për punën vullnetare, një ligj mjaft i domosdoshëm për formalizimin e punës vullnetare dhe rregullimin e saj.

Prej vitesh është folur për një ligj të till, kaq të munguar dhe kaq të nevojshëm. Ka patur edhe iniciativa të mëparshme për hartimin e një Draft-Ligji mbi Vullnetarizmin. Gjatë vitit të kaluar, kur është hartuar Strategjia Kombëtare e Rinisë 2014 – 2020 nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, një nga pikat kryesore të strategjisë ishte pikërisht hartimi i ligjit për vullnetarizmin.

Në një ditë të shënuar siç është dita e Lumturimit të Nënë Terezës, kryefjala e të cilës ishte vullnetarizmi, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Z. Blendi Klosi, gjatë aktivitetit të zhvilluar në nder të saj, deklaroi dhe ftoi publikisht të gjithë të bëhen pjesë e proçesit të hartimit të ligjit të shumëpritur të vullnetarizmit. Një nismë për tu përgëzuar dhe një ftesë e shumëpritur nga të gjithë aktorët e shoqërisë civile dhe vullnetarët.

Por çudia ndodh dy ditë më vonë, kur një grup deputetësh të LSI depozitojnë në Kuvendin e Shqipërisë projektligjin mbi vullnetarizmin. Gjatë deklaratës për shtyp, deputetja e LSI, Znj. Kejdi Mehmetaj ndër të tjera ka nënvizuar se ligji për vullnetarizmin ka qënë pjesë e programit për të rinjtë dhe se LRI ka punuar për dy vjet për hartimin e këtij drafti, në konsultime të vazhdueshme me shoqërinë civile. Me cilën Shoqëri Civile?!

Ne si Lëvizja “Ta Pastrojme Shqipërinë” gjatë këtyre dy viteve qe kemi organizuar katër aksione kombëtare dhe jemi lëvizja që ka ndryshuar vullnetarizmin këto dy vite, nuk kemi marr ndonje ftesë për ndonjë takim konsultativ. Po përveç shoqërisë civile anonime, kush kanë qënë grupet e tjera të interesit që ju kanë konsultuar?! Them konsultuar pasi së pari, shumë sekrete është mbajtur kjo gjë dhe e dyta si ka mundësi që Ministria e Rinisë që është direkte përgjegjëse për këtë pjesë nuk është në dijeni të këtij Draft-Ligji?! Ngjan pak si tejkalim kompetencash institucionale.

A nuk jeni të dyja palët në një qeveri. A e dini se ligji mbi vullnetarizmin nuk mund të jetë një nismë partiake por një nismë ndër institucionale dhe gjithëpërfshirëse dhe jashtë spektrit partiak?! Gjatë fushatës për hartimin e Strategjisë për Rininë vitin e kaluar, nuk keni qënë pjesë e asnjë takimi, ku është folur gjerësisht për vullnetarizmin dhe hartimit të ligjit?! Ndoshta nuk ju kanë ftuar, siç nuk ftohen organizatat në mënyrë selektive?! Kështu siç nuk keni ftuar ju, kështu siç nuk ftojnë asnjëherë institucionet nëpër takime ku kërkohet opinioni dhe kontributi i shoqërisë civile, por ftohen vetëm organizata në mënyrë selektive. Po Strategjinë Kombëtare për Rininë 2014 – 2020, nuk e keni?! Si keni punuar për rininë pa patur në dorë Strategjinë Kombëtare.

Vullnetarizmi është edukatë, kulturë, mirëqenie, edukim, shëndet, socializim, ndenjë komunitare, humanizëm, gjithëpërfshirje, vullnetarizmi është vlerë e shtuar e çdo shoqërie të zhvilluar. Vullnetarizmi kultivohet në shkollë, shoqëri dhe në familje.

Pyetjet që dua të parashtroj janë: A kanë qënë të përfshirë Ministria e Rinisë, Ministria e Arsimit, Ministria e Integrimit, Ministria e Kulturës, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit, Ministria e Financave, Avokati i Popullit, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, organizatat e Shoqërisë Civile (dhe cilat janë këto) ekspert të ndryshëm apo grupe të tjera interesi.

Si nuk ka deri më tani asnjë reagim nga gjithë institucionet e sipërmendura lidhur me këtë Draft-Ligj? Po nga shoqëria civile? Presim, do presim, dhe sa do presim…?!

Ligji për vullnetarizmin është shumë specifik dhe kërkon një gjithëpërfshirje me diapazon shumë të gjërë, sidomos nga aktorët e shoqërisë civile. Më poshtë do të gjeni Draft-Ligjin e mëparshëm dhe Draft-Ligjin e propozuar nga LSI. Mjafton ti lexoni të dy, ti krahasoni dhe do të kuptoni se ky ligj nuk mund të jetë një ligj që vjen nga një forum rinor politik. Kërkojmë nga Komisioni i Ligjeve refuzimin e këtij Drafti, kërkojmë reagimin e institucioneve të tjera të sipërmendura dhe të shoqërisë civile. Boll më kemi pritur për një ligj mbi vullnetarizmin, por jo të servirur në këtë mënyrë, me mungesë transparence dhe pa përfshirjen e gjithë aktorëve.

I lutemi klasës politike, pushtetit vendor e qëndror, larg duart nga vullnetarizmi, mjaft e ka shkatërruar në një mënyrë apo në tjetrën, çdo sistem që ka qeverisur këtë vënd deri më sot.

Mos e përdorni vullnetarizmit si mjet promovimi të partisë, bashkisë apo ministrisë tuaj. Promovohuni me punën për të cilën ju jeni zgjedhur dhe lërjani shoqërisë civile të bëj rolin e shoqërisë civile.

I lutemi shoqërisë civile të bëj rolin e shoqërisë civile dhe t’ja lëri politikën politikës.

Shoqëria civile ka nevojë për frymarrje dhe këtë mund t’ja japim vetë ne, duke ushtruar rolin tonë në shoqëri. Vetëm kështu nuk na e marrin dot frymën.

Vullnetarizmi është ushtrimi i fundit i demokracisë. Në zgjedhje votojmë një herë në katër vjet për cilët duam të na drejtojnë. Duke vullnetarizuar votojmë çdo ditë për komunitetin në të cilin duam të jetojmë.

Të jesh vullnetar nuk është profesion.

Ervin Shehaj

Team Leader

Ta Pastrojmë Shqipërinë

Green Line Albania

Më poshtë projektligjet në format PDF:

Projektligjin per Punen Vullnetare – I VJETRI

Projektligjin per Punen Vullnetare – LSI