Jeff Bridges e di shumë mirë që plastika është një substancë që Toka nuk mund ta tresë. Përdorimi në mbarë botën i paketimeve plastike është duke na e helmuar trupin, duke vrarë botën e egër dhe duke e dërrmuar planetin tonë. Përdorimi i plastikës një përdorimshe e ka thelluar edhe më tej varësinë tonë në djegien e lëndëve fosile, duke kontribuar kështu në ndryshimin e klimës dhe duke e rritur më shumë rrezikun për komunitetet tona.

jeff-bridges-open-your-eyes

Problemi global i plastikave të panevojshme u demonstrua në mënyrë perfekte kur dyqani “Whole Foods” nxori për shitje portokalle të qëruara të paketuara në enë plastike – dhe kushtonte 6 $ / pound (rreth ½ kg). Ky lloj produkti “Orangegate” u shpërnda me shpejtësinë e dritës në mediat sociale kur dikush postoi një foto të tyre, e cila arriti të shikohej nga mbi 1 milion përdorues në Facebook duke nxitur kështu shprehjen e pakënaqësive nga përdoruesit. Për këtë arsye, “Whole Foods” tërhoqi nga raftet të gjithë produktin duke lëshuar edhe një deklaratë ndjese në Twitter.

Por akoma konsumatorët mund të gjejnë edhe sot banane të paketuara në qese plastike në mënyrë individuale nëpër raftet e dyqaneve. Shpresojmë që mesazhi i Bridge në videon “Hapi Sytë”, e cila u lançua për herë të parë në Shtator 2015 do të nxisin konsumatorët dhe shitësit e pakicës që të hapin sytë dhe të kërkojnë reduktim të mbetjeve plastike.

Shikoni videon më poshtë:

Bridges, në intervistën që vijon ka ndarë për publikun ndërgjegjësimin personal në rritje përsa i përket problemit të ndotjes plastike.

Koalicioni i Ndotjes nga Plastika: Çfare e ka motivuar mbështetjen tuaj afatgjatë për Koalicionin e Ndotjes nga Plastika, përfshirë këtu edhe zërin tuaj në videon tonë të re?

Jeff Bridges: Babai im Lloyd Bridges ka punuar në një spektakël televiziv të quajtur Sea Hunt (Gjuetia e Detit). Ai më ka mësuar që fëmijë mbi rëndësinë që ka kujdesja për oqeanin dhe puna së bashku për të bërë pjesën tonë në reduktimin e ndotjes nga njeriu. Gjithashtu ne jemi të gjithë të ndërlidhur dhe përgjegjës për oqeanet në mbarë botën.

Koalicioni i Ndotjes nga Plastika: Çfarë mund të na thoni për ndërgjegjësimin tuaj personal përsa i përket plastikës, kur keni filluar dhe pse?

Jeff Bridges: Filloi nga ju (Koalicioni), se sa torollake është ideja të pish ujë në shishe plastike.

Koalicioni i Ndotjes nga Plastika: Çfarë ndryshimesh keni bërë për të reduktuar gjurmët tuaja plastike?

Jeff Bridges: Personalisht bëj më të mirën, pi ujë në mbajtëse prej metali. Shpesh përdor shishet tuaja “Rethink”. Unë dhe familja ime nuk blejmë ujë me shishe plastike në dyqan. Kemi një sistem filtrimi për ujin që e përdorim për të mbushur shishet e qelqit.

Koalicioni i Ndotjes nga Plastika: Në Turet me Chris Pelonis dhe jashtë me Abiders? Po në set?

Jeff Bridges: Kur jam në punë, në set apo skenë, kontrata ime ka të specifikuar që nuk duhet të përdoren shishe plastike. Kur luaj me grupin tim, të gjithë përdorim mbajtëse lëngjesh metalike apo diçka tjetër që nuk është plastikë në mënyrë që pija të jetë ekologjike dhe për t’ju treguar të tjerëve që kështu duhet bërë.

Koalicioni i Ndotjes nga Plastika: Cilët janë tre hapat e parë që ndërmorët dhe që mund ti rekomandoni për të tjerët që duan të fillojnë një jetesë me sa më pak plastikë vërdallë?

Jeff Bridges: 1. Zhdukni shishet plastike të ujit. 2. Zëvëndësojini me shishe metali apo qelqi. 3. Mbani çantë prej rrobe për të bërë pazarin.

Koalicioni i Ndotjes nga Plastika: Ndonjë mendim apo observim që do të dëshironit të ndanit me të tjerët përsa i përket çështjes së ndotjes nga plastika, alternative apo zgjidhje?

Jeff Bridges: Mënyra për të ndryshuar botën është nëpërmjet përgjegjësisë individuale dhe ndërmarrja e aksioneve lokale në komunitet. Nëse çdokush nëpër botë do të bënte këtë gjë, do të ishte hapi i parë i zgjidhjes së këtij problemi.

Shënim nga GLA : Jeffrey Leon “Jeff” Bridges është aktor, këngëtar dhe producent Amerikan

Burimi: http://ecowatch.com/

Përgatiti: Green Line Albania