5

Situata mjedisore në vend vazhdon të jetë akoma problematike, kjo ka bërë që kohët e fundit të kërkohet një përkushtim më i madh i të gjithë aktorëve potenical.
Adresimi i problematikave mjedisore dhe zgjidhja e tyre tashmë është kthyer në një prioritet për të gjithë. Kjo padiskutim kërkon një bashkëpunim të gjerë midis të gjithë aktorëve, Pushtetit Qëndror, Vendor, Agjencive Rajonale, Shoqërisë Civile, qytetarëve, institucioneve arsimore, komunitetit të biznesit dhe medias. Mjedisi është gjithashtu një nga prioritetet kryesore për Integrimin Europian të Shqipërisë.
Një nga rekomandimet kryesore nga Bashkimi Europian në Progres Raportin e vitin 2014 për çështjet mjedisore është pikërisht përforcimi i partneritetit midis Pushtetit Qëndror, Vendor dhe Shoqërisë Civile.
Sot më 15 Qershor u hodh një hap i rëndësishëm nga Bashkia e Patosit për trajtimin e çështjeve mjedisore. Bashkia e Patosit firmosi një Memorandum Bashkëpunimi me Lëvizjen Civile “Ta Pastrojmë Shqipërinë”.

Lëvizja “Ta Pastrojmë Shqipërinë” është një lëvizje mjedisore vullnetare, pjesë e Lëvizjes Botërore “Let’s Do It World”, ku bëjnë pjesë 112 shtete të Botës.
Misioni kryesorë është sensibilizimi, ndërgjegjësimi, kontributi në komunitet, edukimi mjedisor, adresimi i problematikave mjedisore dhe gjithëpërfshirja.

Memorandumi synon të promovojë dhe zhvillojë çështjen e mbrojtjes së mjedisit dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet “Bashkisë së Patosit” dhe Lëvizjes Civile “Ta Pastrojmë Shqipërinë”. Prioritetet kryesore që do të zhvillohen gjatë zbatimit të memorandumit, do të jenë si më poshtë:

• Organizimit të përbashkët të aktiviteteve të rëndësishme mjedisore.
• Organizimit të konferencave, trajnimeve dhe seminareve të përbashkëta.
• Përgatitjes dhe implementimit të përbashkët të projekteve mjedisore dhe rinore.
• Shkëmbimin e përvojave, informacioneve dhe ekspertëve.
• Mbështetje teknike dhe organizative dypalëshe.
• Krijimi i një grupi pune të përbashkët me përfshirjen e të gjithë aktorëve potencial në Bashkinë e Patosit.

Firmosja e këtij Memorandumi Bashkëpunimi është hapi i parë i Rrugëtimit drejt një Patosi të Pastër e të Gjelbër.
Mjedisi është shtëpia jonë e përbashkët, ndaj na takon të gjithëve të kujdesemi për të.
Le ti kthejmë Patosit ngjyrat, për fëmijët tanë, për të ardhmen. Sëbashku Mundemi!