IMG_5491

Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit, Lëvizja Civile “Ta Pastrojmë Shqipërinë” në partneritet të plotë me Bashkinë Patos, Inspektoriatin Mjedisor Fier, nxënësit e shkollave të qytetit, qytetarët, admininistratën publike dhe kompanitë Albpetrol, Silv – Oil, Soil, Albstar dhe I.XH – Isufaj, që operojnë brenda territorit të Bashkisë Patos, zhvilluan një aksion të gjerë vullnetar në të mirë të mjedisit dhe komunitetit.
Aksioni u zhvillua në etapa të ndryshme si: pastrim i territorit nga mbeturinat urbane, lyerje e kangjellave dhe kontenierëve të mbeturinave, largimin e inerteve nga aksi nacional në hyrje të qytetit dhe në zona të tjera në brendësi, pastrimin e kanaleve të ujërave të bardha nga barishtet dhe shkurret.

Aksioni do të vazhdojë në ditët në vijim nga Bashkia e Patosit me rehabilitimin e zonave të pastruara, mbjellje pemësh dhe shtimin e hapësirave të gjelbëra, si edhe me monitorimin e vazhdueshëm të situatës mjedisore dhe ndërgjegjësimin e popullatës mbi rëndësinë e një mjedisi të pastër.

Ky aksion masiv u parapri nga një proces evidentimi i hotspoteve nga Bashkia Patos, në bashkëpunim me Lëvizjen “Ta Pastrojmë Shqipërinë” dhe Inspektoriati Mjedisor Fier.
Mjedisi na takon të gjithëve, ndaj duhet të gjithë së bashku të japim kontributin tonë. Ky është një model bashkëpunimi dhe partneriteti për mjedisin që duhet aplikuar jo vetëm në një ditë, por çdo ditë të vitit.

Aktiviteti u përmbyll me firmosjen e një Memorandumi Bashkëpunimi midis Lëvizjes “Ta Pastrojmë Shqipërinë” dhe Bashkisë Patos, me qëllim zhvillimin e çështjes së mbrojtes së mjedisit nëpërmjet organizimit të aktiviteteve të përbashkëta mjedisore, konferencave, trajnimeve, implementimin e projekteve mjedisore dhe rinore, shkëmbimin e përvojave, mbështetje teknike dhe organizative dypalëshe.

Ky është vetëm fillimi.
Udhëtimi drejt një Shqipërie të Pastër vazhdon.