Gjiri Hartes

GREEN LINE ALBANIA përmbylli në fundjavë fushatën “31 Ditë – 1 Plazh në Ditë” të aksioneve të pastrimit të bregdetit, si pjesë e nismës “Turizmi Gjelbër” e cila synon promovimin dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm nëpërmjet një bregdeti të pastër dhe pa mbeturina e cila mbështetet nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes.

Aksionet e pastrimit kanë filluar më datë 11 korrik me plazhin e Velipojës, për të vazhduar më tej me plazhet e Shëngjinit, Gjiri Lalzit, Hamallaj, Currila, Golem, Durrës, Spille, Divjakë, Seman, Vlorë, Radhimë, Orikum, Dhërmi 1&2, Jalë, Livadh, Himarë 1&2, Potam, Llaman, Qeparo 1&2, Borsh, Bunec, Lukovë 1&2, Sarandë 1&2, Ksamil (Bora Bora) dhe Gjiri i Hartës më datë 13 Gusht.

Gjatë 31 ditëve, Skuadra e Gjelbër e vullnetarëve të Green Line Albania përveç pastrimit të plazheve, sensibilizimit të pushuesëve, organizimit të Natës së Gjelbër, ka identifikuar dhe shumë problematika në mbajtjen pastër të plazheve, të cilat ndikojnë drejtë për së drejti në zhvillimin e turizmit. Mungesa e koshave të mbeturinave ishte një nga faktorët kryesorë për pastërtinë e plazheve por edhe mungesa e ndërgjejësimit qytetar. Gjithashtu u evidentuan vendgrumbullime masive mbeturinash në zona të ndryshme të plazheve por edhe përgjatë akseve rrugore të cilat të shpien në këto plazhe. Vërehej gjithashtu edhe numri i vogël i burimeve njerëzore të Bashkive dhe Njësive Administrative për mirëmbajtjen, menaxhimin e plazheve dhe mbajtjen pastër të tyre.

Një nga problematikat më shqetësuese gjatë kësaj fushate ishte sasia e mbetjeve spitalore dhe farmaceutike të evidentuara dhe të pastruara nga ana jonë në vijën bregdetare nga Velipoja deri në Plazhin e Vjetër Vlorë. Lidhur me këto evidentime, ne kemi bërë raportimet në institucionet përkatëse për marrjen e masave. Gjatë 31 ditëve, vullnetarët kanë zhvilluar fushatë sensibilizuese me pushuesit, banorët dhe bizneset, evidentuan pikat më të ndotura dhe raportimin e tyre nëpërmjet aplikacionit #TrashOut. Ajo çka na tërhoqi më shumë vëmendjen gjatë kësaj fushate ishte mënyra dhe vendet se ku bizneset apo edhe pushuesit fshihnin dhe depozitonin mbeturinat. Në shumë vende ishte e pamundur ndërhyrja e vullnetarëve dhe kërkohej një ndërhyrje e specializuar dhe me mjete të posaçme. Lidhur me këto problematika zhvilluam takime dhe me përfaqësues të Njësive Administrative Velipojë, Shëngjin, Orikum si edhe me Bashkinë e Himarës dhe Divjakës, të cilët gjithashtu ju bashkuan aksioneve tona të pastrimit dhe shprehën gadishmërinë e tyre për të bashkëpunuar më tej për përmirësimin e situatës mjedisore.

Gjatë kohës së lirë, vullnetarët pastruan edhe Ballkonin e Llogarasë, një pikë turistike e hapur kohët e fundit ku u vu re mungesa e koshave të mbeturinave, plazhin e Drimadhes, aksin rrugor që të shpie në Spille në afërsi të venddepozitimit të mbeturinave të gjithë zonës si edhe në pikën kufitare të Qafë Botit, ku imazhi i Shqipërisë ndotej nga dy kioska të vendosura në buzë të përroit, të cilin e kishin transformuar në kosh mbeturinash. Vullnetarët e Green Line Albania pasi pastruan pikën kufitare, mbeturinat e grumbulluara i çuan në Bashkinë e Konispolit në shënjë proteste.

Gjatë 31 ditëve të nxehta të verës mbushura me aksione pastrimi, vullnetarët së bashku me pushues vendas e të huaj, banorë të zonave, bizneset dhe institucionet vendore, arritën të pastrojnë dhe të grumbullojnë mbi 5.000 thasë mbeturina (rreth 80 ton) të cilat jo vetëm kishin ndotur plazhet por rrezikonin të përfundonin në det.

Nisma “Turizmi Gjelbër” do të vazhdoj më tej me monitorimin e vazhdueshëm të situatës mjedisore në bregdet dhe jo vetëm, Natën e Gjelbër, organizimin e fushatës sensibilizuese “Rrugëtimi Blu” dhe do të mbyllet me aksionin e madh “Ta Pastrojmë Bregdetin në një Ditë”, i cili do të shtrihet në të gjithë vijën bregdetare në përfundim të sezonit turistik.

Në përfundim të kësaj nisme, Green Line Albania i sygjeron Bashkive dhe Njësive Administrative bregdetare të rrisin investimet në infrastruktur, të shtojnë koshat e mbeturinave, të rrisin kapacitetet njerëzore për mirëmbajtjen dhe pastrimin e plazheve, zëvendësimin e koshave të amortizuar, evadimin më të shpeshtë të mbeturinave dhe moslejimin e tejmbushjes së koshave, monitorimin e bizneseve që operojnë përgjatë vijës bregdetare, organizimin e fushatave sensibilizuese të vazhdueshme, rritjen e bashkëpunimit me institucionet e tjera të linjvs si dhe me aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile. Nga ana tjetër, i sygjerojmë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes vendosjen e standarteve kombëtare për bizneset, Bashkitë dhe Njësitë Administrative Bregdetare përsa i përket pastrimit dhe mbajtjes pastër të plazheve, monitorimin e zbatimit të këtyre standarteve, shtimin e stafit të dedikuar për menaxhimin e bregdetit, koordinimin ndërinstitucional të gjitha institucioneve lokale, rajonale dhe qëndrore dhe monitorimin e vazhdueshëm të bregdetit.

Një falenderim i veçantë në radhë të parë për gjithë vullnetarët të cilët pastruan çdo ditë në temperatura të larta, pushuesve vendas dhe të huaj që ju bashkuan aksioneve të pastrimit, organizatave mjedisore dhe jo vetëm, banorëve dhe bizneseve të zonave bregdetare si dhe Bashkisë Himarë, Bashkisë Divjakë, Njësisë Administrative Orikum, Njësisë Administrative Shëngjinë, Njësisë Administrative Velipojë si dhe partnerëve tanë, Ambasadës Franceze, Albarent, BKT, Everest IE, Albanian Recyclers Association, Organizata SEEP, mediave kombëtare dhe lokale dhe shumë e shumë të tjerë që kontribuan për një Bregdet të Pastër.

#BashkohuEdheTi #BehuVullnetar #SebashkuPerBregdetin #SebashkuPerShqiperine

#VisitAlbania #Albania #MZHETTS #AmbasadaFranceze #BKT #ALBARENT #EverestIE #AlbanianRecyclersAssociation #Seep

#GreenLineAlbania #GreenTeam #BlueTeam #TurizmiGjelber #1PlazhNeDite #TuristeTePergjegjshem #BregdetiPaster #RrugetimiBlu #SkuadraBlu #SkuadraeGjelber #SummerTour #GreenSummer #GreenVibes #GreenNights #SummerVibesFromGLA