3

 

Green Line Albania sëbashku me praninë e Z. Blendi Klosi (Ministri i Mjedisit dhe Turizmit) dhe Z. Shpat Kolgega (Zv. Ministri i Arsimit Sportit dhe Rinisë) zhvilluan një takim të përbashkët ku u prezantua Aksioni Kombëtar “Ta Pastrojmë Shqipërinë” 24 Nëntor 2017 dhe plani 6 mujor për pastrimin e të gjithë territorit të vendit. Në takim u prezantua edhe puna e bërë për harten digjitale të mbeturinave nga ISHMP dhe vullnetarët për hartizimin e pikave ilegale të hedhjes së mbeturinave, realizuar me anë të aplikacionit TrashOut që Green Line Albania vuri në dispozicion.

Në fjalën e tij Z. Klosi përmendi punën e bërë gjatë javëve të fundit për hartizimin e situatës mjedisore në vend duke treguar situatën problematike në të cilën vendi ndodhet. Ai gjithashtu shtoi: 9 mijë pika mbetjesh në të gjithë Shqipërinë janë targeti jonë në këtë aksion të parë për të vazhduar me aksionet e tjerë në 6 muaj. 9 mijë grumbuj mbeturinash, inerte, papastërti të llojeve të ndryshme, mbetje urbane, mbetje spitalore, shtretër lumenjsh, pika afër qyteteve, pika në zonat turistike, asnjë vend nuk i ka shpëtuar hedhjes së papërgjeshme të mbeturinave në vendin tonë, asnjë sipërfaqe , asnjë zonë e trashëgimisë kulturore dhe turistike.

Drejtuesi i Aksionit Kombëtar Z. Ervin Shehaj tha se: “Partneriteti shoqëri civile, pushtet qendror dhe pushtet vendor është çelësi për ta zgjidhur këtë situatë sepse mjedisi na bashkon të gjithëve”.
Më tej ai prezantoi hartën dixhitale të mbetjeve falë të cilës tashmë ka një pasqyrë shumë të qartë të situatës në vend, madje edhe duke specifikuar llojet e e mbetjeve dhe ndarjen e tyre sipas qarqeve .
Aksionin e përshëndeti dhe mbështeti edhe ambjentalisti Xhemal Mato, i cili ndër të tjera tha se vlera e kësaj nisme qëndron në përçimin e ndërgjegjësimit në të gjithë shoqërinë.
Mato: “Fushata ka një vlerë shumë të madhe jo vetëm emergjente, jo vetëm se ne duhet të presim turistët në verë me mjedise të pastra dhe të shëndetshme të cilat janë shumë të vlefshme sepse kthehen në fund të fundit në ekonomi dhe këtë duhet ta kuptojë si fshati i vogël turistik ashtu edhe pronari i një hoteli që pastron vetëm zonën e vet. Kjo fushate ka këtë lloj rrezatimi që bën që Shqipëria të hedhë sytë në këtë drejtim ku papastërtia është një problem jo vetëm i shëndetit, por edhe i ekonomisë”.
Nga ana e tij zv/ministri për rininë u shpreh se të gjitha strukturat arsimore do të përfshihen në këtë aksion kombëtar. “Ministria është e angazhuar plotësisht në këtë nisëm në të gjitha nivelet e hierarkisë së saj, që nga shkollat fillore që nga gjimnazet, universitetet, të gjitha strukturat përbërëse për të patur këtë vit aksionin më të madh dhe më të mirë që Shqipëria ka patur në kuadër të pastrimit të mjedisit” – tha Z. Shpati Kolgega.

#TaPastrojmeShqiperine #24Nentor2017 #BashkohuEdheTi

Ta Pastrojmë Shqipërinë në Një Ditë!
Ta Mbajmë Pastër Çdo Ditë!
Let’s Do It! Albania